Skip to content

Premtimi absurd

May 11, 2013

“Nëse më zgjidhni mua deputet në Parlamentin e Kosovës, unë po ju premtoj që Qendrën Protokollare në Gërmi do ta shndërroj në Spital për Mushkëri dhe Kancer”.

Ky ishte premtimi që e bëri njëri ndër kandidatët e PDK-së (P.S.) gjatë fushatës elektorale. Fillimisht ai tregoi që numri i sëmundjeve me kancer në mushkëri është në një nivel të lartë, pastaj pasoi me këtë premtim, i cili për mua nuk është asgjë tjetër veç se edhe një përpjekje për ta degraduar edhe më tepër Parkun e Gërmisë.
Fillimisht para se ta analizojmë premtimin që e bëri ky kandidat, duhet t’i rikujtoj atij se numri i të prekurve nga kanceri i mushkërive si dhe sëmundjeve të tjera aspiratore po vjen pikërisht nga shkatërrimi i pyjeve, parqeve si dhe nga betonizimi i Prishtinës. Prandaj Gërmia nuk ka nevojë për spital të mushkërive e aq më pak për atë Qendër Protokollare e cila ngjan me vilat e famshme të liderëve komunistë. Parku i Gërmisë ka nevojë për ripyllëzim, për përkujdesje dhe për revitalizimin e tij. Sepse është parku i vetëm në një kryeqytet i cili i ka tejkaluar të gjitha normat për nga shkalla e ndotjes së ajrit.

Parku i Gërmisë, i cilësuar si “mushkëritë e Prishtinës”, duke pasur parasysh efektin që e ka në thithjen e CO2 (dioksidit të karbonit), i cili në Prishtinë lirohet pa kurrfarë kontrolli, qoftë nga makinat e vjetëruara apo nga Termocentralet A dhe B, këto “mushkëri” pa kurrfarë dyshimi ka filluar t’i prekë sëmundja e kancerit. E nëse shtojmë këtu edhe ndërtimin e Spitalit të Mushkërive dhe Kancerit, premtim ky i bërë nga kandidati për deputet i PDK-së, atëherë Gërmia ka mundësi të shndërrohet në një pikë të nxehtë për të bërë biznes dhe për të korruptuar zyrtarët.

Pse e them këtë?

Sepse shumë biznesmenë do të vrapojnë të marrin leje dhe të ndërtojnë barnatore, restorante, qebaptore apo motele ku vizitorët nga qytetet e tjera të bëjnë një sy gjumë. Pastaj, frekuentimi i madh nga të sëmurët dhe vizitorët e tjerë, ndotja nga mbeturinat spitalore dhe zhurma e madhe e cila do të krijohej nga makinat që do të qarkullonin, ky projekt me plot kuptimin e fjalës do t’i jepte fund Parkut të Gërmisë.

Problemi tjetër është buxheti financiar, ku aparaturat që duhet të vendosen në këtë spital për shërimin e sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit kapin shifra tepër të larta. Në vend të ndërtimit të këtij spitali në parkun më të madh dhe të vetëm të Prishtinës, ndoshta do të ishte më e udhës që premtimi të jetë më i matur dhe realist, si p.sh. në ngritje të nivelit dhe kapaciteteve të personelit mjekësor dhe menaxhues si dhe një mirëmbajtje më të mirë të ndërtesave, aparaturave dhe oborrit të QKUK-së. Dhe jo të shohim një oborr ku më shumë ka qen sesa pemë, lule dhe gjelbërim.

Por, ajo që më shqetëson edhe më shumë është fakti se ky kandidat i ri ende pa hyrë në Parlament fillon t’i shkelë ligjet e Parlamentit të Kosovës, respektivisht ligjin për peizazhet e mbrojtura, në të cilin radhitet Parku i Gërmisë dhe Ujëvara e Mirushës. Prandaj, ndërhyrja në këtë park është absolutisht e ndaluar.

Në vend që ky kandidat i ri të jetë me të vërtetë një shpresë për qytetarët e Prishtinës dhe në vend që të ngrisë zërin për një kryeqytet më të gjelbër, ai dëshiron që edhe atë park ta shkatërrojë dhe që në vend të qetësisë, gjelbërimit dhe kënaqësisë së të qenit në kontakt me natyrën që ta jep Parku i Gërmisë, ai dëshiron që qytetarëve të Prishtinës t’u ofrojë zhurmën dhe ndotjen e veturave, mbeturinat dhe ç’pyllëzimiin e Gërmisë.
Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që ai do të ketë patur vështirësi për t’i gjetur premtimet në “listën e premtimeve”, pasi që shefi i tij i ka marrë të gjitha të mundshmet duke ia lënë atij eshtrat pa mish. Dhe rrjedhimisht i bie që nga zilia për ta shijuar mishin, ai tenton t’i shijojë eshtrat, por, duke harruar që ato janë aq të forta saqë mund t’i thyejnë dhëmbët.

Kjo në njëfarë mënyre tregon edhe papjekurinë të cilën e hasim jo vetëm te kandidati në fjalë, por te një shumicë e atyre që do t’i shohim në Parlament në vitet në vijim.

Advertisements

From → blogs

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: