Skip to content

Letër e hapur ndaj Ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë në Kosovë – z. Yagcillar

May 11, 2013

Nuk do t`ia filloj kësaj “përralle“ me ato fjalitë e njohura të cilat jemi mësuar ti dëgjojmë në fillim të përrallave siç: “na ishte njëherë..“ apo “dikur e në një kohë …“ . Jo, nuk do t`ia filloj kështu sepse kjo “përrallë“ është duke ndodhur tani. Në fakt këtu, në Kosovë, janë duke ndodhur shumë “përralla“, shumica prej tyre janë përfolur dhe vazhdojnë të përfliten nga populli, së bashku me personazhet e tyre. Por, shumë rrallë kam dëgjuar të përflitet si nga populli, ashtu edhe nga mediat personazhi i kësaj “përralle“, te cilin unë do të mundohem që me anë të kësaj “përralle“ ta nxjerr nga gjumi që e ka kapluar dhe nga strofulla që është futur. Bëhet fjalë për Ministrin e përgjumur të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, z.Yagcilar.

Zoti Ministër, shpresoj që ju tashmë e dini apo ndonjëri prej këshilltarëve Tuaj t`ju ketë treguar që Kosova sot është e prekur nga problemet mjedisore në të gjitha aspektet. Nuk kemi as edhe një qytet të vetëm në të cilin mund ta vëjmë gishtin dhe të themi se është qytet i pastër-ekologjikisht. Të gjitha vuajnë nga një grup “sëmundjesh“ të njëjta. Të gjitha janë të prekura nga ndotja e ajrit, ujit dhe tokës si komponentët më të rëndësishëm për jetën e njeriut. E mos të flasim për ndërtimet pa leje, mungesën e hapësirave të  gjelbra, duke përjashtuar ndonjë park modest i cili u rregullua gjatë fushatave zgjedhore. Ministria juaj ka aq shumë punë, saqë ju nuk duhet të flini as edhe një minutë të vetëm.

E kuptoj shumë mirë që në agjendën e Qeverisë së Kosovës, ku  edhe ju bëni pjesë, ekzistojnë prioritete më të mëdha siç janë njohjet nga shtetet e  tjera antare të OKB-së, shitja e gjigantëve ekonomikë (Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, PTK, KEK), ndërtimi i Rrugës së Kombit (autostrada Morinë-Merdar), ndërtimi i termocentralit Kosova e Re. Por, se kuptoj dot pse deri sa po i shkruaj këto megaprojekte në kokën time po më sillen miliona e miliarda euro. Pse ministria juaj nuk ka ngritur asnjë komision për inspektimin se sa është ndikimi i këtyre dy projekteve në ambient, autostrada Morinë-Merdar dhe termocentrali Kosova e Re. Është mirë pak të ndalemi  në këtë projektin e dytë, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Në raportin nga projekti “Forum 2015“, mund ta kuptojmë shumë qartë ndikimin negativ që do të ketë për  mjedisin ndërtimi i termocentralit Kosova e Re. “Gjatë analizës që i është bërë këtij megaprojekti, janë gjetur së paku 13 arsye që dëshmojnë se ky projekt nuk është i qëlluar dhe nuk ofron zgjidhje të sigurtë dhe të qëndrueshme për zhvillimin e energjetikës në Kosovë. Përkundrazi, në këtë analizë argumentohet se projekti Kosova e Re do ta ashpërsonte edhe më tej situatën edhe ashtu të rëndë mjedisore, me të gjitha pasojat që do ti ketë për shëndetin e popullatës.“- kështu thuhet në hyrje të raportit. Nuk dua të ndalem më shumë për projektin Kosova e Re, pasi që ky projekt e meriton nje artikull më vete, por ju kisha preferuar që ta lexoni me vëmendje këtë raport, e që koinçidentalisht titullohet “Një përrallë moderne-Kosova C“.

Në një raport të cilin e ka publikuar Ministria të cilën ju e drejtoni thuhet se në Kosovë në vit priten 185.890 metra kub dru teknike dhe për djegie. Për prerjet ilegale nuk ka shënime të sakta, por sipas disa vlerësimeve është më e lartë se sa prerja legale. Bazuar në Raportin e Agjencisë Pyjore për vitin 2003 (nuk kam mundur të gjej dot raport për vitet e fundit) vetëm nga prerjet ilegale janë evidentuar 10.471 metra kub dru, shprehur në vlerë financiare 1.713.132 euro, për çka janë ngritur 5.421 kallëzime në gjykatat kompetente nga të cilat janë zgjidhur vetëm 56 raste. Absurde dhe dështim total! Këto prerje ilegale të drunjve vazhdojnë edhe sot me të njëjtin ritëm, madje edhe në zonat e mbrojtura me ligj, që është hartuar nga MMPH. Prandaj, zoti ministër Ju bëj thirrje te dilni dhe ti bëni ca xhiro rreth e rrotull Kosovës për ti parë këto “masakra natyrore“.  Por, mjafton të shkoni deri në Parkun e Gërmisë, jo tek restaurantet për drekë, por ti futeni malit më thellë dhe të shihni se në çfarë gjendje ka ardhur. Ju rikujtoj që Parku i Gërmisë është i mbrojtur me ligj, pasi që renditet në peisazhet e mbrojtura së bashku me Parkun e Mirushës dhe ju keni plotesisht të drejtë të ndaloni çdo ndërtim që po ndodhë atje apo në afërsi të parkut dhe çdo prerje të drunjve. E mos të flasim për faunën e cila çdo ditë e më tepër ka filluar të largohet nga Parku i Gërmise, shkaku i frekuentimit të madh të automjeteve të ndryshme .

Me siguri e keni vërejtur që në secilin cep të Kosovës mund të dallosh plastmastë (qese të plastikës) të ngjyrave dhe formave të ndryshme. I sheh gjithandej në qytete, nëpër toka bujqësore, duke fluturuar në ajër dhe duke na bërë me dije që ato janë të lira të hidhen kudo. Mënyra më e shpeshtë që përdoret për ti shkatërruar këto qese të plastikes është djegija e tyre, e cila edhe ndodhë fatkeqësisht në çdo vend tonin. Por, gazi i cili emetohet gjatë djegjes së këtyre materialeve është kancerogjen dhe ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës. Prandaj, ministria e juaj duhet urgjentisht të aprovojë një ligj që e ndalon përdorimin e qeseve të plastikës ose ato të blihen me para. Kështu, përdorimi i tyre do të zëvendësohej me qese nga letra të cilat janë të reciklueshme ose kompostohen në mënyrë organike. Apo të merren nga shtëpia strajca të ndryshme nga pëlhura apo ndonjë material tjetër që është më afatgjatë, më i qëndrueshëm në bartjen e produkteve të ndryshme ushqimore si dhe nuk shkakton ndotje në ambient.

Po ajrin të cilin ne e thithim përditë a është i pastër? Absolutisht jo. Emetimi i gazërave të dëmshme nga Termocentralët A dhe B, rritja e numrit të automjeteve në mënyrë enorme të cilat nuk janë të kontrolluara, zëvendësimi i hapësirave të gjelbra me ndërtime pa leje prerja pa kontroll e pyjeve, moskontrollimi i derivateve si benzina e nafta, mospajisja me filtra modernë të fabrikës së metalit-Ferronikeli. Të gjitha këto kanë ndikuar që sot Kosova të jetë ndër vendet e para në Evropë për nga cilësia e dobët e ajrit. Përsëri një pjesë të madhe të fajit e keni ju, sepse ju duhet te bëni presion për vendosjen e filtrave për parandalimin e gazrave ndotës si tek rasti i Ferronikelit ashtu edhe te Termocentralët A dhe B. Ju duhet të dilni publikisht dhe të bëni thirrje që të ndërpriten  ndërtimet e pa leje. Ju duhet të dilni publikisht dhe të bëni thirrje që të mos priten pyjet, sepse ato janë pasuri kombëtare. Ju duhet të dilni publikisht dhe ti ftoni qytetarët për mbjellje të bimëve, apo pastrimin përreth liqeneve. Prandaj, zoti minister, ju duhet të jeni tërë kohën duke promovuar mbrojtjen e mjedisit, ashtu edhe siç thotë  neni 5, i Ligjit për mbrojtjen e mjedisit.

Po çfarë të themi për pasurinë dhe fenominin më atraktivë që e ka Kosova, Bifurkacionin e Nerodimes. Kjo pasuri kombëtare është futur nën mbrojtje me ligj pasi paraqet, së pari një rezervë natyrore dhe së dyti është shembulli i vetëm në Evropë  dhe i dyti në botë së bashku me lumin Orinoko në Amerikën Jugore. Lumi i Nerodimes buron në Bjeshkët e Jezercit dhe formohet prej dy degëve kryesorë të cilat bashkohen në fshatin Nerodime dhe vazhdon rrugëtimin deri te penda, ku ndodh bifurkimi i parë.  Bifurkacioni i Lumit Nerodime ndahet pakthyeshëm në dy degë, të cilat kanë derdhje  në dy dete të ndryshme. Dega veriore (dega e majtë) derdhët në lumin Sitnicë dhe vazhdon rrugëtimin në lumin Ibër, Moravë dhe përmes Danubit derdhet në Detin e Zi, ndërsa dega jugore (dega e djathtë ) së pari bashkohet me njërën degë të lumit  Nerodime e cila ndahet tek penda e betonit (një distancë 1300 m) dhe së bashku vazhdojnë rrugëtimin në lumin Lepenc dhe përmes Vardarit derdhet në Detin Egje. Ky fenomen natyror i vetem ne Evropë do të ishte mjaft atraktiv dhe tërheqës për studiues dhe vizitorë dhe do të kishte një rëndësi tepër  të madhe edukative, shkencore dhe turistike sikur të funksiononte. Por, a duhet të presim nga dikush tjetër apo nga Zoti qe t`ia rikthejë funksionin kësaj bukurie natyrore ? Jo, Zoti njëherë na e dhuroi dhe ne nuk arritëm që ta ruajmë, madje as tani nuk po mundohemi që ta rikthejmë në gjendjen e mëparshme. E të humbasësh një pasuri kaq të madhe natyrore është me të vërtetë mëkat !

Edhe pse janë shumë e shumë problem të tjera të cilat nuk i përmenda siç janë: mbeturinat e ndryshme dhe deponitë e mbeturinave, përdorimi i pakontrollueshëm i pesticideve, ndotja dhe cilësia e ujit, etj. Por, nuk dua që të stërzgjatem më tepër me këtë “përrallë“ pasi që do të kishte kundër-efekt, nga zgjimi prej gjumit – ne futjen në gjumë. Megjithatë, derisa superfuqitë e botës (SHBA, Kina, Japonia, Brazili, BE etj) në agjendën e tyre si prioritet, së bashku me Krizën Financiare kanë futur edhe Ndryshimet Klimatike bashkë me Mbrojtjen e Mjedisit, atëherë pse nuk duhet edhe ne të jemi pjesë e kësaj agjende. Ndoshta, ky do të jetë rasti ku Kosova të tregojë maturinë e saj prej një shteti që sapo ka filluar të lindë.

Duke shpresuar që ky artikull të mos merret si një kritikë personale apo partiake, por si një kritikë që në qendër të vëmendjes ka promovimin e mbrojtjes se mjedisit dhe një ambienti të pastër po e përfundoj me një thënie të njohur të Faik  Konicës: “Ky popull nuk mësohet, nuk kulturohet, nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës“.

Advertisements

From → blogs

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: